Itinerari i tretë është hartuar duke zgjedhur vende e ndalesa që nuk janë shumë të frekuentuara prej vizitorëve, por të cilat zënë vend të veçantë në kujtesën historike të zonës së Mirditës e të mbarë vendit. Ato mbulojnë një shtrirje të madhe historike, qysh prej monumenteve të Mesjetës arbërore, gjer te trashëgimia socialiste e fundshekullit XX e te traditat ende të gjalla të mjeshtërive karakteristike të zonës. Itinerari ndahet në dy pjesë, e para prej të cilave mund të bëhet lehtësisht me kembë, ndërsa e dyta kërkon përdorimin e një automjeti.
Itinerari i tretë nis sërish nga qyteti i Rrëshenit, por përqëndrohet te zejtaria e artizanati tradicional i krahinës. Fillon me një vizitë në atelienë e znj. znj. Drane Fizi, e cila prodhon e stolis petka karakteristike të zonës së Mirditës. Duke qenë se ia ka kushtuar gjithë jetën e saj kësaj mjeshtërie, znj. Fizi është njohëse e mirë e kulturës dhe traditës lokale, si dhe po mendon mundësinë për ta zgjeruar tregtinë e saj të vyer me një dyqan. Pas vizitës e bisedës me të, udha vazhdon me qendrën historike të qytetit, sheshin “Abat Doçi” dhe Pallatin e Kulturës, ku gëlon jeta artistike e krahinës.
Mandej vijohet me një ndër agroturizmet e reja të zonës, “Real Park”, ku mund të shijohet një drekë tradicionale, të soditet natyra e këndshme atypari dhe të shplodheni me miq e të afërm. Udha ndjek gjurmën e rrugës së vjetër që lidhte Tiranën me Kukësin dhe ndalet në fshatin e Gëziqit, ku, në të majtë të udhës, gjendet Kisha e Ndërfanës. Ndërfana mendohet të ketë qenë qendër e rëndësishme e Principatës së Arbërit dhe kisha e sotme është ndërtuar mbi rrënojat e abacisë së Shën Mërisë, e cila duhet të jetë prishur me vendosjen e sundimit osman në shekullin XV. Kisha ka rëndësi të veçantë historike për arsye se, pikërisht në të, konsulli Theodor Ippen zbuloi stemën me shqiponjë të Principatës së Arbërit që vijon të mbetet simbol i shtetit dhe i kombit shqiptar sot e kësaj dite. Pas vizitës në Gëziq, vazhdojmë drejt fshatit Shpal, i cili e ka marrë emrin prej kishës së moçme të Shpalit (Shën Palit), e njohur si kuvend për pajtimin e gjakrave mes banorëve të zonës. Bilnishti mesjetar, seli e shtëpisë fisnike me të njëjtin emër, përmendet qysh në vitin 878 dhe ka qenë një ndër qendrat më të rëndësishme kishtare të Shqipërisë së Veriut, me jo vetëm abacinë benediktine të Shën Palit e objektet e kultit, por dhe një sërë fortifikimesh që mbijetojnë ende në toponimi: kalaja e Shkorretit, kalaja e Preçit, kalaja e Bazhellës etj. Përkundruall Bilnishtit gjendet siti arkeologjik i Buklit, ku u zbulua një nekropol i rëndësishëm arbëror më 1963.
Itinerari vijon me burg-kampin e Spaçit, ndër vendet e kujtesës më të rëndësishme të periudhës totalitare. Kampi i punës për shfrytëzimin e minierës së bakrit e të piritit në Spaç ka funksionuar gjatë viteve 1968-88 dhe ka strehuar rreth 1000 të burgosur. Kompleksi përmban shtatë ndërtesa që i përkasin pjesës së burgut, por dhe ngrehina të tjera me funksione të ndryshme, pasi shfrytëzimi i minierës nuk kryhej vetëm me punë të burgosurish. Ndërtimet janë të stilit tipik socialist, utilitare dhe me forma të rregullta. Sot janë në gjendje tërësisht të rrënuar.