Adelina ka lindur dhe është rritur në qytetin e Rrëshenit. Kureshtja e shtyu të eksploronte krijimin e luleve, kafshëve e stolisjeve të tjera nëpërmjet qëndistarisë qysh në fëmijërinë e hershme. Duke parë interesin e saj për këtë zeje, familjarët i dhuruan materiale të ndryshme, panoramën dhe ‘copën dyqindëshe’, siç quhej asokohe. Adelina e përvetësoi mjeshtërinë me të shpejtë dhe arriti t’i riprodhonte modelet fare herët. Ndërkohë mësoi dhe punimin me shtiza që në moshën gjashtëvjeçare dhe përfundoi trikon e parë për vëllanë e sapolindur, pa bërë nëntë vjeç.
Një tjetër pasion i Adelinës është riciklimi, të cilin e ka gërshetuar me artizanatin gjatë gjithë punës së saj. Ky interesim lindi nga nevoja për t’u veshur bukur pa shpenzuar shumë, dhe me të merrej në kohën e lirë. Në vitin 2022, mori pjesë në sfilatën ‘Eco Fashion Show Albania’, ku i bëri bashkë të dyja pasionet e saj për të krijuar veshje interesante e të qëndrueshme, për përditshmërinë.