Zanafilla e Mirditës

Edhe pse mirditorët nuk shfaqen te autorët e vjetër që shkruajnë për Arbërinë para sundimit osman, tradita e kahmotshme e këtyre malësorëve e do që ata ta kenë prejardhjen prej Princave të Dukagjinit.

Këta të fundit, bujarë të mëdhenj të Veriut, tek panë që fuqia e pushteti po iu bjerrej pas vdekjes së Skënderbeut, thuhet ta kenë braktisur fushën që bart emrin e tyre e të kenë marrë malet, duke sjellë me vete dashurinë për liri, fenë e krishterë dhe refuzimin për të ulur kryet para sulltanëve osmanë.

Pas shumë e shumë përpjekjesh për t’i nënshtruar këta njerëz e malësitë e tyre, osmanët prapëseprapë nuk ia dolën t’i çanin malet e pabesa dhe gërxhet e thepisura, që ruheshin ditë e natë me ngulmin e llahtarshëm për të lënë jetën para se të lejonin t’ua shkelte truallin këmba e osmanit.
Pa mundur t’i bëjë zap me dhunë, Sulltani u ofroi një paqe mjaft bujare, e cila ua njihte zyrtarisht kapidanin dhe ua linte qeverisjen në dorë të tyre – me liri besimi dhe përjashtim nga të gjitha taksat – me të vetmin kusht që të jepnin një numër të caktuar luftëtarësh të armatosur, nën urdhrat e kapidanit të vet, për t’i shërbyer Sulltanit në kohë lufte. Rrëfenjat vendase tregojnë se paqja bujare dhe privilegjet e mirditorëve vijnë qysh prej sundimit të Sulltan Bajazitit dhe ka, ndër to, që thonë se ka qenë pikërisht beteja e Fushë Kosovës çasti kur u fituan. Rrëfehet se pas fitores së betejës, Sulltani i dha kapidanit të mirditorëve një pllake metalike, mbi të cilën qenë shkruar të gjitha privilegjet që kishin të drejtë të gëzonin. 

Referenca


Hyacynthe Hecquard, Histoire et description de la Haute Albanie ou Guégarie. (Paris: Arthus Bertrand, 1858), k. 4. 


Mark Tirta, Mitologjia ndër shqiptarë. (Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2004). 

Dëgjo
[player id='3044']
[player id='4583']
sq
CULTOUR MIRDITA
Logo