Orët e Zanat e Mirditës

Mirdita ka një traditë të moçme e me nam të adhurimit e të mbrojtjes së mjedisit natyror, e cila përgjithësisht njihet me emrin ‘Kulti i Natyrës’. Legjendat e zonës thonë se, nëse tufa e bagëtive mrizonte tri vera rresht nën pemë të mëdha e të vjetra, mrizi bëhej vend i shenjtë dhe pemët bëheshin të paprekshme: nuk mund t’u pritej as edhe një degë, për asnjë arsye. Cilido që e shkelte ligjin e lashtë do ta pësonte keq, se pemët e mrizet ishin banesat e Orëve, hyjni të shenjta që i kishin ruajtur ato anë qysh prej kohërash që s’mbahen mend, kur filluan të banoheshin prej njerëzve të parë. Lisat e mëdhenj ku banojnë Orët quhen ‘vende të mira’ dhe Orët u sjellin, si mbarësi kalimtarëve, ashtu edhe ligësi atyre që ua trazonin prehjen e lashtë.

 

 

Orët gjenden dhe në treva të tjera, nën emra të ndryshëm – Zana, Orë e Zëra, çka dëfton shkrirjen e Orëve, Mbrojtëseve të Natyrës, me Zanat, Mbrojtëset e Njerëzve dhe provon vjetërsinë e këtyre praktikave, të cilat shtrihen gjer në Lashtësinë para-krishtere të banesave e të banorëve. Kulti i Natyrës, i cili dëshmohet dhe mbi ndërtesa e mbi petka në Mirditë, shprehet përmes gëdhendjeve e stolisjeve me rrathë të brendashkruar, spirale të dyfishta e Diell; njëlloj si dhe ndezja e Buzmit Bujar më 24 dhjetor, e cila më vonë rishpiket si Kërshëndellat e krishtera. 

Referenca

 

Hyacynthe Hecquard, Histoire et description de la Haute Albanie ou Guégarie. (Paris: Arthus Bertrand, 1858), k. 4. 

 

Mark Tirta, Mitologjia ndër shqiptarë. (Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2004). 

Dëgjo
sq
CULTOUR MIRDITA
Logo
Skip to content