Shtegu i dytë

Itinerari Kulturor i Kulinarisë dhe i Aventurës, Rrëshen

Itinerari i dytë fillon me qendrën historike të qytetit të Rrëshenit dhe përfundon me Shpellën e Valit. Ndahet në tri pjesë, prej të cilave dy mund të bëhen me këmbë apo hiking, ndërsa një syresh kërkon përdorimin e një automjeti. Pjesa e fundit e itinerarit kërkon rreth dy orë hiking të nivelit të lehtë-mesatar, i cili mund të bëhet nga të gjitha moshat dhe për të cilin nevojitet veshje të përshtatshme, ujë e ushqime të lehta. Itinerari i ofron vizitorëve një përvojë të larmishme të trevës së Rrëshenit, e cila përfshin turizmin kulturor klasik e ndërveprues, degustimin e specialiteteve të zonës, arkitekturën tradicionale e industrial, si dhe veçantitë natyrore të krahinës. 

Itinerari nis nga qendra historike e qytetit të Rrëshenit, ku mund të ndalemi për ndonjë pije freskuese e mandej të vizitojmë qendrën, ku gjenden Pallati i Kulturës dhe Muzeu Historik i qytetit. Këto dy ndalesa kanë për të na dhënë mundësinë për të mësuar më shumë rreth historisë, etnografisë e kulturës së zonës, nëpërmjet eksponateve të ndryshme të artefakteve të zonës dhe shpjegimeve shoqëruese.
Po ashtu do të vizitohet dhe Kisha e Rrëshenit, e cila është monument mjaft i rëndësishëm i kësaj treve kryesisht të krishterë.

 

Më tej nevojitet automjetit për të vijuar me degustimin në Kantinën e Verës së Arbërit, ku përveç njohjes me teknikat e mbarështimit e prodhimit të verës, krijohet dhe mundësia për të shijuar verërat e ushqimet karakteristike të zonës.
Pas drekës, udhëtimi vazhdon drejt një kureshtie të arkitekturës industriale shqiptare: ura e Tranazhit, ura më e gjatë hekurudhore në vend, e cila përfundoi së ndërtuari më 1989 dhe nuk u përdor kurrë.
Pas urës, ndalesa e radhës është bujtina N’KANU, një agroturizëm i vogël familjar që mundëson jo vetëm bujtjen për atë natë, por edhe vizitën në kullën thuajse dy shekullore të Dodajve aty pranë, shembull i arkitekturës karakteristike të Rrëshenit, si dhe në Kështjellën “Duka” buzë udhës.

Udhëtimi me automjet vazhdon gjer në fillim të shtegut së Shpellës të Valit, i cili zgjat rreth një orë me kembë dhe ofron mundësinë për të vizituar e shijuar një sërë bukurish natyrore: fshatin e Perlatit; bjeshkët e Selitës, Mulli-Didhë-Valmor, me lartësi 1300-1500 m mbi nivelin e detit; si dhe luginën e mrekullueshme të Urakës që i ndan këto të fundit.

Shpella e Valit gjendet në brinjë të fushës që mban të njëjtin emër dhe ka pamjen e një kështjelle natyrore prej masivesh të mëdha gëlqerore. Gjatësia në drejtimin perëndim-lindje është rreth 90 m dhe përfundon në dy dalje, njëra prej të cila mendohet se lidhet përmes një labrinti me shpellën e Nezirit në Bruç, e cila ka vlerë arkeologjike dhe historike për lashtësinë e zonës; ndërsa gjerësia në drejtimin veri-jug varion nga 50 në 60 m. Në qendër të shpellës gjendet një oxhak hinkë nga sipërfaqja gjer në shpinë të saj, i cili është pingul me thellësinë që lidh mjedisin e jashtëm me brendinë e shpellës. Oxhaku ka diameter rreth 10 deri në 15 m dhe thellësi deri në sipërfaqe prej 20 gjer në 25 m, çka dëshmon dhe trashësinë e shtresës shkëmbore e të dherave që mbulojnë shpellën. Shkëmbinjtë vetë janë organikë, me soliditet të qartë e me përbërje gëlqerore, çka mund të jetë unike në mbarë sistemin kodrinor të zonës, i cili është i pasur në karbonate eprore që preken shumë prej erozionit të ujërave rrjedhëse, gje që dhe shpjegon larminë e formave e të dëndësive të tyre. 

 
sq
CULTOUR MIRDITA
Logo