Gjelina ka lindur në një familje mirditore ku çmohej rëndësia e ruajtjes e mbarëvajtjes së mjeshtërive të traditës. Ndonëse i ati qe mjeshtër i prodhimit të çiftelive e veglave të tjera muzikore tradicionale të krahinës, ajo u brumos qysh në moshë fare të re me pasionin për qëndistarinë dhe punën me shtiza e me grep – të gjitha këto aftësi të domosdoshme për punimin e veshjeve tradicionale të Mirditës – nga e ëma, e cila asokohe endte qilima e qemere në vegjë.
Ndonëse tashmë në pension, Gjelina vijon të bëjë punimet e saj me grep e me shtizë, si dhe qepjen e veshjeve tradicionale, në mënyrë që të përcjellë traditën dhe teknikat tradicionale të punimit te brezat pasardhës. Ajo shpreson që puna e saj të shërbejë si shembull dhe si bazë, mbi të cilën të mund të krijohet një model artizanati i qëndrueshëm e afatgjatë.
EcoKult është një organizatë e themeluar në 2023 me qëllimin për të frymëzuar dhe fuqizuar komunitetet të përqafojnë praktika të qëndrueshme dhe të mbështesin kreativitetin.